Ndikimi i taksës 100% në importet nga Serbia

0

Shihni se si vlera e importeve nga Serbia në Kosovë u zvogëlua në mënyrë drastike për shkak të tatimit 100% mbi importet nga Serbia.

Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% mbi produktet e importuara nga Serbia më 21 nëntor 2018. Duke parë të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Dogana e Kosovës, efektet e kësaj takse në rënien e importeve nga Serbia u vërejtën menjëherë në nëntor 2018. Grafiku tregon një krahasim të vlerës së importit për nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt për 2015, 2016, 2017, krahasuar me vlerën e importit për të njëjtët muaj në 2018 dhe 2019.

Mund të shihet se në muajin nëntor gjatë vitit 2015, 2016 dhe 2017 janë importuara nga Serbia mesatarisht 33 milion EUR kurse në muajin nëntor 2018 vetëm 15 milion EUR, pra është përgjysmuar vlera e importit në muajin nëntor 2018 përkundër faktit që taksa është vendosur në fund të muajit nëntor, gjegjësisht me 21 nëntor 2018.

Një rënie edhe më madhe mund të vërehet gjatë muajit dhjetor 2018 ku në krahasim me mesataren e importit nga Serbia gjatë tri viteve paraprake e cila ishte 39 milion EUR, në dhjetor 2018 vlera e importit nga Serbia ishte vetëm 5.31 milion EUR, që në përqindje i bie afërsisht 87% rënie e importit nga Serbia gjate muajit dhjetor 2018. Trend edhe më i fuqishëm i rënies së importit nga Serbia ka vazhduar në janar 2019 ku vlera e importit nga Serbia ishte vetëm 790,000 EUR, dhe në shkurt 2019 vetëm 480,000 EUR.

Në tabelën e mëposhtme mund të shihni si ka ndryshuar vlera e importit përgjatë periudhës janar 2018 – shkurt 2019 të ndarë sipas periudhave tre mujore (Q1,Q2,Q3,Q4) dhe sipas produkteve. Tabela tregon vlerën tremujore të importit nga Serbia për produktin përkatës, si dhe shkallën e rritjes sipas çerek vitit. Shkalla e rritjes së importit tregon në terma përqindje se si ka ndryshuar vlera e importeve nga Serbia për çdo produkt të listuar në baza tremujore. Pra, mund të shohim se importi i sheqerit të bardhë është zvogëluar për 58.61% në periudhën e Q4 2018 kurse është zvogëluar për 100% në periudhën Q1 2019. Duhet të theksohet se jo të gjitha produktet e importuara nga Serbia janë subjekt i taksës 100%; prandaj rënia e importeve për disa produkte (p.sh. Energjia Elektrike e cila nuk
është subjekt i taksës) nuk është si rezultat i taksës, por mund të jetë si rezultat i arsyeve tjera. Mund të shihet se importi i energjisë elektrike nga Serbia kishte filluar të binte që nga tremujori i dytë (Q2) 2018 pra para vendosjes së taksës.

Share.

Comments are closed.

Ky projekt u përzgjodh në mesin e finalistëve të sfidës Dig Data dhe mbështetet nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Kjo deklaratë mohim informon lexuesit se pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë faqe i përkasin vetëm autorit, dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e asnjë organizate, grupi ose individi tjetër.